Balili nesër në gjykatë, ja për çfarë akuzohet “Eskobari i Ballkanit”!

Një ditë para se Gjykata e Krimeve të Rënda t’i komunikojë masën e sigurisë Klement Balilit, zbardhen edhe akuzat e prokurorisë ndaj atij që cilësohet si “Eskobari i Ballkanit”.
Ky i fundit është dorëzuar ditën e djeshme në Delvinë, i shoqëruar nga familjarët e tij dhe në prani të autoriteteve më të larta policore, mes të cilëve edhe kryepolici i vendit Ardi Veliu.

Balili akuzohet për disa vepra penale, nga trafiku i lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim, e deri tek pastrimi produkteve të veprës penale. Ish-kreu i Transporteve të Sarandës akuzohet gjithashtu për refuzim të deklarimit, deklarim të rremë dhe fshehje e pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë.

Dyshohet se gjatë periudhës që ka qenë në këtë post, Klement Balili ka fshehur të ardhurat e siguruara nga trafiku i drogës në drejtim të Greqisë. I pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit”, ndaj tij nuk është ngritur ende, të paktën deri më tani, akuza e krijimit dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal, por vetëm ajo e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

Balili është i kërkuar edhe në Greqi, aty ku ka ushtruar aktivitetin e tij të paligjshëm. Në vitin 2016, Gjykata e Athinës ka caktuar ndaj tij masën “arrest me burg” dhe pas kësaj është lëshuar urdhri ndërkombëtar për ta arrestuar.


Loading...

Comments